Dita e fundit e gjykimit në Hagë, gjykatësi: Të akuzuarit i japin deklaratat e tyre pas drekës

E publikuar: 18/02/2026 10:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca e Gjykatës Speciale në Hagë nisi sot me fjalët e kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, i cili tregoi rendin e ditës.

Ai foli për pushimet që do të bëhen herë pas here dhe tha se në fund të ditës do të mbyllet çështja, “përveçse nëse ka ndonjë kundërshtim”. Smitha tha se “seanca e sotme do të përfundojë jo më vonë se në orën 16:45”.

Gjykatësi tha se të akuzuarit do t’i japin deklaratat e tyre përmbyllëse pas pushimit të drekës.

“Ndoshta, mendoj se të akuzuarit deklaratat e tyre do t’i japin pas pushimit të drekës, në mënyrë që të mos ndërpriten dhe të kenë vëmendjen e të gjithëve”, tha ai.

Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashihet të përfundohen sot, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.