Shteti i Illinois njeh 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës – Veçohet kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan

E publikuar: 17/02/2026 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jay Robert Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Dita e Pavarësisë së Kosovës në shtetin e Illinois në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është bërë e ditur nga ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e ambasadës është publikuar edhe letra e vendimit, ku ndër tjerash thuhet se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit të Illinois, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre, përcjell Gazeta Express.

Letra e plotë:

Shteti i Illinois

Departamenti Ekzekutiv

Proklamatë

DUKE PASUR PARASYSH se Shteti i Illinois ka nderin t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve në mbarë shtetin tonë në përkujtimin e 17 shkurtit 2008, si dita kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj;

DUKE PASUR PARASYSH se, në atë ditë historike, me një përkushtim të palëkundur ndaj parimeve të lirisë, sovranitetit dhe vetëvendosjes, Republika e Kosovës shpalli zyrtarisht pavarësinë në Prishtinë, duke shënuar një moment transformues në historinë e saj dhe duke u themeluar si një shtet i lirë dhe sovran; dhe

DUKE PASUR PARASYSH se Republika e Kosovës, si shteti më i ri në Evropë, mbetet e përkushtuar me vendosmëri ndaj ruajtjes së parimeve demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit; dhe

DUKE PASUR PARASYSH se lidhja e qëndrueshme midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e rrënjosur në vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe respektit të ndërsjellë, me Shtetet e Bashkuara që luajnë një rol kyç në mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës drejt stabilitetit, ndërtimit të shtetit dhe prosperitetit; dhe

DUKE PASUR PARASYSH se komuniteti shqiptaro-amerikan në Illinois ka dhënë kontribute të rëndësishme në jetën kulturore, ekonomike dhe shoqërore të shtetit tonë, duke u dalluar si drejtues biznesesh, profesionistë dhe anëtarë aktivë të komuniteteve të tyre, ndërkohë që ruajnë dhe ndajnë trashëgiminë e tyre të pasur kulturore; dhe

DUKE PASUR PARASYSH se këtë vit Shteti i Illinois shënon me krenari 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke njohur qëndrueshmërinë dhe arritjet e popullit të saj në ndjekjen e lirisë dhe përparimit; dhe

DUKE PASUR PARASYSH se Illinois njeh dhe nderon partneritetet në rritje dhe lidhjet ekonomike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributet e vazhdueshme të diasporës së Kosovës në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjes së ndërsjellë;

PRANDAJ, unë, JB Pritzker, Guvernator i Shtetit të Illinois, shpall me këtë 17 shkurtin 2026 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Illinois, duke festuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe duke nderuar kontributet e shqiptaro-amerikanëve në prosperitetin dhe diversitetin e shtetit tonë.

Në dëshmi të kësaj, kam vënë firmën time dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois.

Bërë në Kapitol në qytetin e Springfield-it,

më njëzet e tetë janar,

në vitin e Zotit tonë dy mijë e njëzet e gjashtë,

dhe në vitin e dyqindtë e shtatë të Shtetit të Illinois.

Alexi Giannoulias

Sekretar i Shtetit

JB Pritzker

Guvernator