Një tjetër rast i prodhimit të paligjshëm të narkotikëve është zbuluar sot në veri të vendit.
Gazeta Sinjali mëson se më 16.02.2026, rreth orës 11:30, Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Mitrovicë Veri, pas informatave operative nga terreni, ka realizuar një aksion në rrugën “Savina Stena”, në fshatin Soqanic të komunës së Leposaviqit.
Sipas burimeve të afërta me hetimin, i dyshuari Rakic Milunovic (36-vjeçar) po kultivonte substanca narkotike brenda shtëpisë së tij.
Gjatë kontrollit të realizuar në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Rajonale Mitrovicë Veri, policia ka gjetur:
– 28 fara të dyshuara kanabisi të mbjella në një kuti plastike, të vendosura në material sfungjeri dhe të ujitura,
– preparate për ushqimin e bimëve,
– mbetje të substancave narkotike,
– 9 fara shtesë të dyshuara kanabisi në një dhomë tjetër,
– një peshore digjitale.
Në vendngjarje ka dalë edhe Krim-Teknika, e cila ka bërë dokumentimin fotografik dhe konfiskimin e provave materiale.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka urdhëruar që Milunovic të lirohet pas dhënies së deklaratës dhe rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprën penale:
“Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Hetimet po vazhdojnë nga DHTN Mitrovicë Veri për të sqaruar nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo është pjesë e ndonjë rrjeti më të gjerë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



















