Tenderi për dezinsektimin e Prizrenit përfundon në OSHP, procedura kthehet nga e para

E publikuar: 17/02/2026 07:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim lidhur me tenderin e Komunës së Prizrenit për “Dezinsektimin dhe deratizimin e qytetit të Prizrenit dhe zonave periferike, kontratë kornizë 2-vjeçare”, me vlerë 80 mijë euro, duke aprovuar pjesërisht ankesat e dy operatorëve ekonomikë, “Ekologjia” SH.P.K dhe “Mburoya” SH.P.K, por duke lënë në fuqi anulimin e procedurës nga ana e komunës, raporton Infosot.

Procedura ishte hapur në mars të vitit 2025, ndërsa në dhjetor komuna kishte publikuar njoftimin për anulimin e saj. Dy kompanitë e përfshira kishin kërkuar rishqyrtim, por kërkesat e tyre ishin refuzuar nga autoriteti kontraktues, me arsyetimin se ofertat nuk i plotësonin kriteret e dosjes së tenderit. Pas kësaj, ato iu drejtuan OSHP-së me ankesa zyrtare.

Një nga pikat kryesore të kontestit kishte të bënte me licencën për ushtrimin e veprimtarisë DDD (dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim). Komuna kishte konstatuar se operatorëve u mungonte “licenca sipas rregullores së OBSH-së”. Nga ana tjetër, operatorët kishin dorëzuar leje të përkohshme të lëshuara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si autoritet kompetent në Kosovë për këtë fushë.

Eksperti i angazhuar nga OSHP ka konstatuar se leja e dorëzuar nga operatori është dokument i vlefshëm sipas legjislacionit vendor, por njëkohësisht ka vlerësuar se kërkesa në dosjen e tenderit për “përputhje me rregulloret e OBSH-së” ka qenë e paqartë dhe e paspecifikuar se cili organ lëshon një licencë të tillë. Sipas panelit, një paqartësi e tillë është dashur të sqarohej në fazën e sqarimeve të dosjes së tenderit. Për këtë arsye, ky pretendim është vlerësuar si pjesërisht i bazuar.

Çështja e dytë ka të bëjë me kopjen e akreditimit të organizatës që ka lëshuar certifikatat ISO. Komuna kishte konstatuar mungesë të këtij dokumenti dhe kishte eliminuar ofertat mbi këtë bazë. Operatorët kanë argumentuar se certifikatat ISO ishin dorëzuar dhe se akreditimi i trupit certifikues rezultonte nga vetë dokumentet. Në këtë pikë, OSHP ka vlerësuar se autoriteti kontraktues ka pasur mundësi ligjore të kërkojë sqarime shtesë, në vend se të aplikojë menjëherë masën e eliminimit, duke u mbështetur në dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik që lejojnë sqarimin e dokumentacionit administrativ dhe teknik.

Një tjetër çështje e ngritur ishte pretendimi për ndërhyrje në paramasa, konkretisht te pozicioni “Dezinsektimi i parkut të qytetit”, ku ishte përmendur sasia prej 11 hektarësh. Komuna kishte pretenduar se operatori kishte ndryshuar sasinë në formularin e çmimeve. Nga analiza e bërë, është konstatuar se operatori kishte paraqitur çmim për njësi (1 hektar), duke u bazuar në logjikën e ofertimit me çmim të peshuar, dhe jo duke ndryshuar strukturën e formularit. Paneli ka vlerësuar se arsyetimi i komunës në këtë pikë nuk ka qenë i mbështetur mjaftueshëm në dispozitat përkatëse të rregullores.

Nga ana tjetër, OSHP ka shqyrtuar edhe pretendimet e “Mburoya” SH.P.K për trajtim jo të barabartë dhe për mospërmbushje të kritereve nga operatorë të tjerë pjesëmarrës, përfshirë mungesa në certifikata ISO, pajisje teknike, raport të vlerësimit të riskut dhe dokumentacion të planit dinamik 25-ditor. Paneli ka administruar provat dhe raportin e ekspertit për secilën prej këtyre pikave.

Në përfundim, OSHP ka vendosur që ankesat të aprovohen si pjesërisht të bazuara, duke konstatuar se ka pasur paqartësi dhe mangësi në trajtimin e disa kërkesave të dosjes së tenderit. Megjithatë, vendimi i Komunës së Prizrenit për anulimin e procedurës së prokurimit ka mbetur në fuqi. Kjo do të thotë se tenderi për dezinsektimin dhe deratizimin e qytetit do të duhet të rishpallet, nëse komuna vendos ta vazhdojë këtë aktivitet, me specifikime më të qarta dhe me respektim më rigoroz të standardeve ligjore të prokurimit publik.

OSHP ka lejuar edhe kthimin e tarifave të ankesës për operatorët ekonomikë, me kusht që ata të parashtrojnë kërkesë brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.

Vendimi OSH-K Prizrenit (Dokument)