Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Edina Avdiu, ka njoftuar se nuk iu është vazhduar kontrata në këtë pozitë nga ana e menaxhmentit aktual, në krye me Blerim Haxhiajn.
Avdiu me anë të një postimi në ‘Facebook’ thotë se vendimi u mor pa asnjë arsyetim dhe se vendimi ishte i motivuar politikisht, shkruan Insajderi.
“Kete postim po e bej sonte, pikerisht ne oren 19:30 sepse nga sonte, nuk do te me shihni me ne ekranin e Radio Televizionit te Kosoves, si cdo mbremje tjeter, tash e tre vjet. Kjo, jo per shkak se ka munguar vullneti dhe angazhimi nga ana ime, por se menaxhmenti aktual i RTK-se, i cili po funksionon pa mandat, ka vendosur te mos e vazhdoj kontraten time te rregullt”, shkroi ndër të tjera ajo.
Një nga pikat më të rënda të njoftimit të Avdiut është fakti se paralajmërimi për mosvazhdim të kontratës i ka ardhur në një moment të ndjeshëm.
“Paralajmërimi për mosvazhdim të kontratës nga një institucion publik siç është RTK-ja, erdhi në muajin e pestë të shtatzanisë time, për çka eprorët e mi ishin në dijeni”, tha ajo.
Pos tjerash, Avdiu ka publikuar edhe një tekst për të cilën thotë se iu dha për ta lexuar lidhur me Dimal Bashën, ku thuren elozhe nga më të ndryshmet, për të cilën thotë se ka refuzuar ta lexojë.



















