“Liria ka Emër” viziton familjen e Rexhep Selimit para marshit më 17 shkurt: Solidaritet dhe thirrje për lirim të çlirimtarëve

E publikuar: 15/02/2026 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, vizituan sot familjen e Rexhep Selimit, i cili po gjykohet në Hagë në fazën finale të procesit.

Ata u pritën nga bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi, e shoqëruar nga djali dhe vajza, me të cilët zhvilluan një takim solidarizues në këtë moment vendimtar për familjen dhe për vendin.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e platformës shprehën mbështetje të plotë për familjen Selimi dhe ritheksuan besimin e tyre se lufta e popullit të Kosovës për liri ishte e drejtë dhe e pastër.

Ata e njoftuan znj. Selimi për mobilizimin qytetar dhe për marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, si një shprehje e mbështetjes popullore për çlirimtarët që po përballen me procesin në Hagë.

“Qëndrojmë pranë familjes Selimi me bindjen e plotë se drejtësia do të triumfojë dhe se çlirimtarët tanë do të kthehen sa më shpejt në shtëpi,” tha Eliza Hoxha.

“Marshi i 17 shkurtit është zë i përbashkët qytetar për drejtësi dhe dinjitet. Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe rikthimin e tyre pranë familjeve dhe popullit,” u shpreh Ismail Tasholli.

Nga ana e saj, Shqipe Selimi falënderoi platformën “Liria ka Emër” për angazhimin dhe solidaritetin e treguar në këtë fazë finale të procesit, duke shprehur mbështetjen për marshin e 17 shkurtit.