Mbi 200 mijë qytetarë pritet t’i bashkohen marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt në Prishtinë, kështu u tha sot nga Platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një konferencë për media.
Nga Platforma “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha theksoi se pas dy ditësh, sheshi i kryeqytetit “nuk do të jetë thjesht një hapësirë publike, por zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke e cilësuar marshin si dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe respektit ndaj historisë së vendit.
Ajo bëri të ditur se mobilizimi qytetar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe gjithëpërfshirës dhe shtoi se ky marsh tashmë nuk i përket një platforme apo disa individëve, por i përket popullit.
“Ne presim mbi 200 mijë qytetarë, do të jetë marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë, por madhështia e tij nuk matet vetëm me numra, do të matet me qetësinë tonë, me disiplinë dhe dinjitetin tonë dhe me seriozitetin dhe mesazhin që do ta përcjellim atë ditë. Ne nuk po dalim në rrugë për të treguar tension, por po dalim për të treguar dinjitet. Po dalim ne rrugë për kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin dhe shokët e tyre”, theksoi ajo.
Hoxha shtoi gjatë këtyre javëve kanë parë një mobilizim të jashtëzakonshëm qytetarë për marshin e 17 shkurtit.
“Gjatë këtyre javëve kemi parë diçka që na ka prekur thellë, një mobilizim të jashtëzakonshëm qytetarë, kemi marrë mbështetje nga të gjitha komunat e Kosovës. Nga çdo cep i Kosovës kanë ardhur mesazhe përkrahjeje, konfirmime pjesëmarrjeje, angazhim konkret për organizimin e transportit dhe mobilizimit lokal. Kemi marrë mbështetje të gjerë institucionale, përfshirë sindikatat, profesionistë të lirë, mësimdhënës, doktorë, artistë e sportistë, fermerë e përfaqësues të bashkësive fetare”, deklaroi Hoxha.
Në vijim të konferencës, Ismail Tasholli përfaqësues nga platforma “Liria ka Emër” njoftoi se ka konfirmime pjesëmarrjeje edhe nga shqiptarë të rajonit dhe nga diaspora në Evropë.
Tasholli u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 17 shkurt të dalin në shesh me familjet e tyre, në një marsh të qetë, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.
“Ejani të gjithë, ejani me familjet e juaja, merrni fëmijët për dore, prindërit dhe gjyshërit. Dhe t’ju tregojmë brezave se Kosova ka ditur të jetë e madhe kur është e bashkuar. Më 17 shkurt, sheshi i Prishtinës do të jetë zëri ynë dhe do të jetë dëshmia se kërkesa jonë për drejtësi është e pastër, qytetare dhe e përbashkët. Gjithçka është gati’, tha ai.
Tasholli ka dhënë disa detaje për organizimin dhe folësit në këtë marsh. Sipas tij, do të ketë pesë folës nga kategori të ndryshme të shoqërisë, të cilët do të përcjellin mesazhe qytetare, pa përfshirje partiake.
Ai tha se asnjë folës nuk do të jetë partiak. Ndërsa, sipas tij, do të këndojë artisti i madh Ilir Shaqiri dhe Lyrical Son, duke i dhënë këtij tubimi edhe dimensionin kulturor që e karakterizon “shpirtin tonë”.
Po ashtu ai tha se do të ketë një aksion simbolik tek monumenti NEËBORN, si moment reflektimi për lindjen e shtetit të Kosova dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e së vërtetës së tij.
Sot, gjatë ditës do të publikohet agjenda e nisjes së autobusëve nga secila komunë e Kosovës.


















