Me rekomandim të kryetarit të Bashkësia Islame e Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, sot në të gjitha xhamitë e vendit është mbajtur hytbe e përbashkët me temën “Pavarësia e Kosovës dhe përgjegjësia jonë fetare dhe kombëtare”.
Në hytbe u theksua se besimtarët ndodhen në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke e ndërlidhur dimensionin shpirtëror me përgjegjësinë qytetare dhe kombëtare.
“Jemi në xhumanë e fundit të muajit Shaban dhe dalëngadalë po i afrohemi muajit të bekuar Ramazan, muajit të mëshirës, faljes dhe pastrimit shpirtëror. Ramazani është një dhuratë hyjnore për besimtarin, një mundësi për t’u afruar më shumë me Allahun, për ta forcuar besimin, durimin dhe përgjegjësinë tonë morale”, thuhet në mesazh.
Duke cituar Kuranin dhe mësimet islame mbi drejtësinë dhe vetëmbrojtjen, në hytbe u përmend edhe rruga e Kosovës drejt lirisë, me theks të veçantë tek 17 Shkurti.
“17 shkurti i vitit 2008 nuk është një datë e zakonshme, por përmbyllje e një rruge të gjatë sakrifice, dhimbjeje dhe qëndrese. Pavarësia nuk erdhi si dhuratë, as rastësisht. Ajo erdhi pas dekadash shtypjeje, mohimi të të drejtave, përndjekjesh, burgimesh, masakrash dhe një lufte çlirimtare të pastër, që synonte një qëllim të vetëm: lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë në tokën tonë”, theksohet më tej.
Në mesazh u përmendën padrejtësitë e kryera ndaj popullit të Kosovës, duke u cilësuar si “zullum i qartë”, ndërsa u shtua se historia e luftës çlirimtare është “histori e rezistencës ndaj zullumit”.
Po ashtu, u vlerësua roli i Ushtria Çlirimtare e Kosovës si pjesë e historisë së vendit.
“Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte luftë për mbijetesë, për liri dhe për nder. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kapitull lavdie në historinë tonë. Bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi u ngritën për ta mbrojtur popullin dhe atdheun. Sakrifica e familjes Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari është shembull i rrallë në histori për besë, qëndresë dhe flijim”, thuhet në hytbe.
Në prag të përvjetorit të Pavarësisë, në mesazh u bë thirrje për unitet dhe përgjegjësi në raport me shtetin.
“Si besimtarë, ne jemi të obliguar ta mbrojmë shtetin tonë me mençuri, maturi dhe përgjegjësi, duke kontribuar në forcimin e institucioneve, ruajtjen e rendit, unitetit dhe stabilitetit. Nuk guxojmë të bëhemi pengesë e shtetit tonë, por mbështetje e tij”, theksohet ndër të tjera.
Në fund, u dha edhe mbështetje për marshin protestues “Liria ka emër”, që pritet të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ne, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi, kemi të drejtë dhe obligim moral që ta ngremë zërin për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën historike. Bashkësia Islame mbështet fuqishëm marshin, duke porositur qytetarët që, në mënyrë paqësore, të qetë dhe dinjitoze, t’i përgjigjen këtij marshimi”, thuhet në mesazh.
Hytbja përmbyllet me thirrjen që Pavarësia e Kosovës të ruhet si amanet i dëshmorëve dhe i brezave që vijnë, me lutjen: “Allahu e bekoftë Kosovën, e forcoftë unitetin tonë dhe e ruajt lirinë tonë të fituar me sakrificë! Amin!”.



















