​IKD i bën thirrje Kuvendit: Hiqeni nenin 31, shkel Kushtetutën dhe dëmton zyrtarët publikë

E publikuar: 13/02/2026 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se neni 31 i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 shkel obligimet kushtetuese që lidhen me pagesën e përvojës së punës për zyrtarët publikë.

Sipas IKD-së, në aktgjykimin KO79/23, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se reduktimi i shtesës së përvojës së punës për 15 vitet e para të karrierës nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka obliguar Kuvendi i Republikës së Kosovës që brenda gjashtë muajve ta rikthejë pagesën në të paktën 0.5%, me efekt nga 1 shkurti 2024.

Megjithatë, sipas analizës, Qeveria ka synuar ta adresojë këtë çështje përmes projektligjit vjetor buxhetor, i cili jo vetëm që nuk është instrument i duhur ligjor, por edhe e shtyn zbatimin e pagesës nga 1 janari 2026, në vend të datës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

IKD thekson se kjo përbën moszbatim të një aktgjykimi kushtetues dhe ka shkaktuar dëm financiar real për mbi 90 mijë zyrtarë publikë, duke rrezikuar edhe mbingarkimin e gjykatave me padi për kompensim.

Instituti i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit dhe deputetëve që të mos e miratojnë projektligjin në këtë formë, por të largojnë nenin 31 dhe të ndryshojnë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, duke siguruar kthimin retroaktiv të mjeteve nga 1 shkurti 2024.