Presidenca e Kosovës ka publikuar një letër që kongresmeni amerikan Keith Self ia ka çuar Vjosa Osmanit më 12 janar, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Në këtë letër, Self ka përmendur përfundimin me sukses të zgjedhjeve dhe ka thënë se një gjë e tillë është rezultat i pjesëmarrjes së fortë dhe të përgjegjshme të qytetarëve të Kosovës, qëndrueshmërisë së rendit kushtetues të Kosovës, përkushtimit për demokraci dhe si rezultat i punës së Osmanit.
Presidenca e Kosovës e ka quajtur këtë letër si një “mbështetje të fuqishme” nga ana e kongresmenit Self për presidenten Osmani, e cila tashmë është duke bërë përpjekjet e saj për t’u rizgjedhur edhe për një mandat si presidente.
Postimi i plotë:
Kongresisti republikan Self: Besim jashtëzakonisht i fortë e bipartizan në udhëheqjen e Presidentes Osmani![]()
![]()
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e Kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kongresisti republikan Keith Self.
“Dua të nënvizoj besimin jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen tuaj si Presidente e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kongresisti Self në letrën mbështetëse.
Duke theksuar momentin vendimtar nëpër të cilin po kalon Kosova, ai ka dhënë mbështetje të plotë për vazhdimësinë e këtij vizioni të Presidentes duke potencuar se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
Në këtë mesazh të nivelit të lartë, rikonfirmohet qartë se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë normat demokratike, parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit, elemente thelbësore për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e partneritetit ndërkombëtar.
Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj.
Kjo mbështetje e qartë nga një prej figurave kyçe të politikës së jashtme në Kongresin amerikan përbën një konfirmim të fuqishëm të besimit në lidershipin e Presidentes Osmani dhe në drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

















