Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar publikisht pasi nuk e votoi rezolutën për krerët e UÇK-së në Kuvend, duke theksuar se qëndrimi i saj lidhet me përmbajtjen e dokumentit dhe jo me mungesë mbështetjeje për parimet e drejtësisë.
Në një deklaratë, LDK thekson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të trajtojë çështjen e drejtësisë në mënyrë të plotë dhe të barabartë, e jo përmes, siç thuhet, qasjeve të pjesshme apo selektive.
Partia shpreh mbështetje për gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, duke e konsideruar këtë si themel të shtetit ligjor dhe orientimit euro-atlantik të vendit.
Megjithatë, sipas LDK-së, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar.
“Deputetët e saj kishin kërkuar që rezoluta të përfshinte qartë obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë edhe vrasjet politike”.
Sipas këtij subjekti politik, mospërfshirja e kësaj kërkese e ka bërë rezolutën të paplotë në thelb dhe me mesazh të mangët.
Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i LDK-së ka deklaruar se nuk mund të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
“Qëndrimi i LDK-së është parimor dhe se partia do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, procese të drejta dhe të paanshme, si dhe përballje institucionale me të vërtetën”.



















