Haradinaj: I kam dërguar letër Hamzës dhe Abdixhikut për çështjen e presidentit

E publikuar: 12/02/2026 23:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sërish nëse do të jetë kandidat për president të vendit.

Në Rubikon të Klan Kosovës, Haradinaj tha se ai nuk është kandidat për këtë post, dhe as nuk ka bazë kandiduese.

“Unë mendoj se nëse opozita po të mundte ta qiste një kandidat të vetin, ose mua, ose cilindo prej kryetarëve të partive, një figurë, e me mbledh votën, do ta bënim një balancë të pushtetit. Unë nuk jam kandidat sepse nuk kam as bazë kandiduese, sepse duhen 30 nënshkrime”, tha ai në Klan Kosova.

Pos tjerash, i pari i AAK-së tha se për çështjen e presidentit i ka dërguar letër për bashkëpunim kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Megjithatë, sipas tij, nuk ka marrë ndonjë qartësi nga ky ofrim bashkëpunimi nga ana e tij.