Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka njoftuar se nuk do të kandidoj për kryetar të AAK-së në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen.
Haradinaj pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm numëroi arsyet se pse nuk do të kandidoj për kryetar të AAK-së.
“Ne sapo kemi përfunduar takimin e 177-të të Këshillit të Përgjithshëm. I kemi dakorduar vendimet për trupat zgjedhore që i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm, e po ashtu i kemi shpallur zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet. Procesi zgjedhor fillon më 20 shkurt dhe përmbyllet më 6 qershor. Pra, orientimi ynë për Kuvendin është afati statutor katërvjeçar, me zgjedhje të rregullta. Është një situatë vërtet e mirë që me kohë i kemi bërë përgatitjet më të mira për këto zgjedhje. Njëkohësisht, e di që risi dhe ndryshim është fakti se nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës. Në këto zgjedhje ua kam treguar edhe kolegëve disa arsye, të cilat po jua shpjegoj edhe juve. Është një kohë e gjatë në udhëheqje, që nga maji i vitit 2000, pra një faktor është edhe koha e më pas edhe rezultati jo i mirë nga zgjedhjet”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu ka deklaruar se nuk është kandidat për president të vendit.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Me qenë në një rrethanë të caktuar, parlamenti, deputetët të ma kërkonin, e kisha shqyrtuar”, deklaroi Haradinaj.
Kandidati i ri për kryetar të AAK-së, Ardian Gjini tha se gjatë periudhës së procesit zgjedhor brenda Aleancës mund të ketë kandidatë të rinj dhe se janë të hapur për kandidim.
“I kemi edhe tre muaj e pak përpara. Të gjithë anëtarëve të Aleancës në mbarë Kosovën ua uroj hapjen e këtij procesi zgjedhor tejet të rëndësishëm. Në periudhën kur ka zgjedhje brenda partisë, konsiderojmë që dyert janë të hapura për anëtarë të rinj që duan t’i ndihmojnë Kosovës me një koncept të qartë për ta vendosur vendin në binarët e duhur. Për momentin, unë e kam shprehur vullnetin për kandidaturë, por gjatë këtyre tre muajve mund të ketë edhe kandidatura të reja. Aleanca është e hapur për anëtarë dhe anëtare, si dhe për çdo kontribut tjetër”, theksoi Gjini./EO



















