Kurti: U mblodhëm për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare

E publikuar: 12/02/2026 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se kabineti i ri qeveritar ka mbajtur mbledhjen përuruese dhe të parë të punës, ku janë ndërmarrë disa vendime të rëndësishme financiare dhe ligjore.

Sipas tij, që në ditën e parë të punës, Qeveria është mbledhur për të miratuar buxhetin për vitin 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin prej kohësh miratimin në Kuvend.

“Që në ditën e parë të punës, u mblodhëm për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh presin miratimin në Kuvend e që kanë edhe afat skadence”, ka shkruar Kurti.

Ai bëri të ditur se Qeveria ka aprovuar edhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, me qëllim të garantimit të ekzekutimit me kohë të obligimeve financiare.

“Gjithashtu, aprovuam vendimin për t’i kërkuar Kuvendit që të mundësojë zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, në mënyrë që të sigurohemi se pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen me kohë, teksa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të trajtojnë dhe miratojnë buxhetin për këtë vit”, theksoi ai.

Kurti rikujtoi se vitin e kaluar Kuvendi ishte shpërndarë pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, si dhe pa u miratuar Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.

“Rikujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar madje përfitimet nga to. Tash që kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re në krye të detyrës, e kemi edhe një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend”, u shpreh Kurti.

kryeministri theksoi se shërbimi ndaj vendit mbetet përgjegjësi dhe privilegj.

“Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh”, shtoi ai.