Kuvendi i Kosovës ka votuar sonte për formimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të ri qeverisës, i njohur si “Kurti 3”.
Seanca e jashtëzakonshme u mbajt në orët e mbrëmjes, ku pas procedurave parlamentare dhe votimit të përbërjes së kabinetit qeveritar, ekzekutivi i ri mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të legjislaturës së dhjetë.
66 prej tyre votuan për, 49 votuan kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim.
Para votimit, mandatar i Qeverisë, Albin Kurti, mbajti fjalën e tij, ekspozenë, para deputetëve, ku paraqiti prioritetet dhe drejtimet kryesore të qeverisjes në mandatin e ri.
Ai theksoi të arriturat, sipas tij, të mandatit të kaluar, veçanërisht në aspektin ekonomik, duke përmendur rritjen ekonomike, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, Kurti fillimisht u ndal edhe te proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai deklaroi se kërkesat e Prokurorisë së Specializuar, bien ndesh me të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.


















