“Largohuni”, Dua Lipa irritohet nga paparacët në Paris-tensionohet situata me fotografët

E publikuar: 11/02/2026 21:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dua Lipa u përball me një situatë të pakëndshme gjatë një daljeje me të fejuarin e saj, aktorin Callum Turner, në Paris.

Ndërsa çifti po përpiqej të largohej nga një restorant, ata u rrethuan nga paparacë që filluan të bërtisnin, t’i ndiqnin nga afër dhe të kërkonin me ngulm fotografi.

Në videot që qarkulluan në rrjetet sociale, Lipa shihet dukshëm e irrituar, duke u kërkuar vazhdimisht fotografëve të “largohen”, ndërsa ata vazhdonin t’i kërkonin “vetëm një minutë” dhe “disa foto”, pa marrë parasysh shqetësimin e saj.

Në një moment, situata u bë aq e ngjeshur sa Turner u përpoq ta mbrojë dhe ta ndihmojë të kalojë përmes turmës.

Më pas ndërhyri edhe sigurimi, i cili i shoqëroi deri te automjeti i tyre.

Ngjarja ka nxitur reagime dhe debat online lidhur me kufijtë e privatësisë së personazheve publike dhe metodat shpesh agresive që përdorin paparacët.

Edhe pse Lipa dhe Turner konfirmuan fejesën e tyre vitin e kaluar, ata e kanë mbajtur marrëdhënien larg vëmendjes së tepruar mediatike, pavarësisht interesit të madh të publikut.

Klikoni këtu për VIDEO