Të mërkurën është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Në këtë seancë është përmendur edhe emri i Behgjet Pacollit, për një kontratë borxhi mes Naim Murselit dhe tij.
Murseli tha se me Pacollin ka ekzistuar një parakontratë borxhi, dhe se ishte shlyer në mënyra tjera.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli. Shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon kur ka qenë afati i shlyerjes së borxhit. Borxhi ka ekzistuar por është shlyer në mënyra tjera”, ka deklaruar Murseli.
“Nuk është dokument i noterizuar por është parakontratë”, tha tutje Murseli në gjyq.
Në Gjykatë është përmendur edhe borxhi që Naim Murseli ka në një nga bankat e Kosovës, në vlerë 219 mijë e 296 euro.
“Siç e kam përmendur herën e kaluar unë dhe bashkëshortja ime, Liridona, kemi blerë një shtëpi përmes kredisë në BKT. Do të thotë ajo shumë është kredia e shtëpisë”, tha Murseli, ndërsa shtoi se shtëpia ishte hipotekë, kur u pyet nëse këtë ai e konsideronte borxh.
“Ka dallim, pasi shtëpia është në hipotekë. Nuk e paguan ta merr shtëpinë”, tha Murseli.
Në anën tjetër, në lidhje me këto para, Pacolli është deklaruar për “Betimi për Drejtësi” ku tha se i kishte ndihmuar gjithmonë Murselit dhe se nuk kishte kërkuar t’ia kthente borxhin.
“I kam ndihmu gjithmonë atij. S’e kam kërku atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, u shpreh ai.
Gjatë seancës, gjyqtarja Fatime Dermaku bëri të ditur se Naim Murseli kishte kërkuar kontakt me Behgjet Pacollin, por që kërkesa e tij ishte refuzuar nga Gjykata, pasi si kërkesë hynte në kategorinë e personave që nuk e lejon ligji.
Krahas kësaj kërkese, Murseli kishte kërkuar të kontaktojë edhe me fëmijët që ndodhen në Suedi, veçanërisht djalin, por që gjyqtarja tha se ende s’ka marrë përgjigje nga autoritetet suedeze.

















