Opozita zhvilloi këtë të martë, protestën e radhës në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe hedhje molotovësh drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Për rreth 4 orë, protestuesit u mblodhën fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ishte ngritur edhe podiumi ku mbajtën fjalë përfaqësues të PD-së, përfshirë kryedemokratin Sali Berisha. Më pas, ata iu drejtuan godinës së Parlamentit.
Pas përfundimit të fjalës së Berishës, skenari i protestës duket se pasqyroi ngjarjet e protestës së kaluar, ku u hodhën molotovë drejt Kryeministrisë. Për të shuar flakët dhe larguar protestuesit, ndërhynë autobotët me ujë. Nga hedhja e molotovëve raportohet se u lënduan 16 punonjës policie.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për revolta popullore për të rrëzuar qeverinë Rama, ndërsa akuzoi kryeministrin se po rrezikon integrimin dhe të ardhmen e vendit. Pas fjalës, ai iu drejtua selisë blu, ndërsa protestuesit iu drejtuan Parlamentit, shkruan RTSH, transmeton KosovaPress.
Edhe aty, tensionet vazhduan. Protestuesit hodhën molotovë drejt efektivëve, ku flakët përhapeshin jo vetëm tek policët, por edhe te një makinë. Ndërhyrja e autobotëve me ujë ishte e nevojshme për të shuar flakët dhe për të larguar protestuesit.
Sipas RTSH-së, 16 punonjës të Policisë mbetën të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës së mbajtur këtë të martë nga opozita në Tiranë.



















