Ish-kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se në këtë komunë deri më tani nuk janë marrë masa për largime nga puna, por ka shprehur shqetësimin se në disa komuna të tjera në veri po ndërmerren vendime që, sipas tij, mund të jenë arbitrare dhe jashtë procedurave ligjore, raporton Ekonomia Online.
Zeqiri në një intervistë për Ekonomia Online tha se në Zubin Potok po bëhen përpjekje për sistemimin e punëtorëve dhe thirrjen e tyre për t’u paraqitur në vendet e punës, por se ende nuk ka vendime konkrete për largime.
Ai theksoi se, sipas informatave që ka për komunat e tjera, veçanërisht për Mitrovicën e Veriut, po flitet për largime të stafit që janë pranuar përmes konkurseve.
“Këto masa çfarë po i lexoj edhe po jam i informuar nga komunat e tjera, do të thotë akoma në komunën e Zubin Potokut nuk kanë fillu me i marrë. Mirëpo ka një përpjekje të sistemimit të punëtorëve, e shoh që, do të thotë, i thërrasin me u lajmëru normal nëpër vendet e punës, po për t’u sistemu akoma nuk është marrë ndonjë hap i tillë. Meqenëse kjo çfarë kam lexuar, do të thotë edhe për komunat e tjera siç është Veriu i Mitrovicës, mendimi im është se ato janë disa vendime arbitrare të themi ashtu, se po merren vendime me i largu njerëzit prej pune që janë pranu me konkurse që nuk ka të drejtë asisoji. Shembull, ka të drejtë komuna të ngrejë, të themelojë komisionin disiplinor dhe natyrisht me përcjellë punën e secilit dhe në qoftë se ka ndonjë neglizhencë pune, ndërmerren masat, merr komisioni disiplinor, jo vendime asisoj”,
Ai shtoi se veprime të tilla, nëse vazhdojnë, mund të prodhojnë tensione ndëretnike dhe se komunat kanë hapësirë për të punësuar staf të ri pa larguar punëtorët ekzistues.
“Sepse unë e shoh shembull këtë sjellje të këtyre, sidomos kjo logjika e Listës Serbe, do të thotë është njëfarë, në qoftë se me këto vazhdohet me këto veprime, është njëfarë s’po them hakmarrje, po një neglizhencë edhe këto që prodhojnë urrejtjen ndëretnike që nuk ishte dashtë edhe s’duhet ajo ashtu sepse ka hapësira, do të thotë, unë po flas për komunën e Zubin Potokut, ka hapësira për t’u punësuar, për t’i plotësuar drejtoritë dhe të gjitha që janë në territor. Ka hapësirë për të punësuar punëtorë të rinj, do të thotë zyrtarë të rinj, të themi me profesione të ndryshme dhe nuk ka nevojë të largohet ndonjë staf për shkak se ka nevojë, kanë nevojë komunat për shërbime. Dhe natyrisht e kanë stafin që e kanë, unë po kujtoj që kur flas për komunën e Zubin Potokut është qysh me thanë ajo baza elementare e stafit, nuk është plotësimi. Këta kanë nevojë për plotësim dhe kanë hapësira për plotësim dhe nuk ish dashtë me u marrë asisoj masash. Deri më tani në komunën e Zubin Potokut, aq sa jam i qasur, nuk janë marrë, mirëpo s’do të thotë që s’do të merren ditëve në vijim apo javëve në vijim”, tha ai.
Zeqiri theksoi se deri më tani në Zubin Potok nuk ka pasur largime nga puna dhe shprehu shpresën që as në të ardhmen të mos ndërmerren masa të tilla.
“Mirëpo deri më tani unë them se në komunën e Zubin Potokut nuk është marrë ndonjë masë e tillë dhe uroj që mos të merren. Kështu që mirë njëherë është, mund të them që mirë deri diku ka kjo qysh me thanë kabineti i kryetarit e shoh që ka komunikim edhe me një pjesë teknike që kam pasur unë, domethënë në funksion kryesisht janë shqiptarë, ka edhe serbë funksionet shumë dhe natyrisht bashkëpunojnë në një pikë. Po masat e tilla nuk janë marrë përjashtim të asaj se janë përpjekje për t’i plotësuar, do të thotë, linjat e drejtorive me zyrtarë, domethënë ne herë kemi staf teknik më tepër, ka nevojë për profesionistë të fushave të ndryshme, mirëpo është në domenin e tyre me hap konkurse edhe me pranu”, tha ai.
Vendosja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit ishte pritur me protesta të dhunshme, duke çuar edhe në ngujimin e tyre në objektet komunale. Në zgjedhjet komunale të 12 tetorit, këto komuna u rikthyen në qeverisjen e kryetarëve serbë nga Lista Serbe.
Ndërkohë, në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në Zveçan është raportuar për largime nga puna të punëtorëve shqiptarë, masa që autoritetet komunale i kanë arsyetuar me baza ligjore dhe procedurale.

















