Deklaratat përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të të tjerëve do të fillojnë më 9 shkurt.
Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla në emisionin “Kosova Today” tha se Gjykata Speciale me punën e saj, sipas tij, ka zbehur shpresën për një verdikt final të drejtë.
“Disa ditë na ndajnë nga fjalët përfundimtare të Prokurorisë dhe të Mbrojtjes, por edhe vetë bashkëluftëtarëve tanë. Çka kemi parë deri tash në punën e Gjykatës Speciale deri në këto ditë, nuk na ka dhënë besim që verdikti final ka me qenë e drejtë, pasi ka qenë shumë e njëanshme”, tha Syla.
Megjithatë, Syla tha se bashkëluftëtarët e tyre që mbahen në paraburgim në Hagë për mbi pesë vjet të lirohen, pasi siç tha ai, të njëjtit janë të pafajshëm.
“Ne gjithmonë, si luftëtarë e bashkëluftëtarë të tyre gjithmonë e mendojmë dhe e besojmë të drejtën tonë, të luftës tonë, të pastërtisë së luftës tonë dhe gjithmonë e mendojmë se ata do të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse ata janë të pafajshëm. Por gjykata me punën e saj neve nuk na ka lënë me mendu që ka shpresë për një gjë të tillë”, tha ai.


















