Telekomi i Kosovës ka vazhduar praktikën e dhënies së kontratave njëburimore me vlera të larta, duke zgjedhur vetëm një kompani për nënshkrimin e kontratave, pa garë dhe pa konkurrencë. Së fundmi, kjo ndërmarrje publike ka shpërblyer një operator ekonomik me kontratë në vlerë prej 100 mijë eurosh, pa iu nënshtruar procedurave të hapura të garës dhe në kundërshtim me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, raporton Infosot.
Kontrata është lidhur ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Integratouch LLC”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 28 janar 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për
datën 10 shkurt të këtij viti. Sipas dokumentacionit zyrtar, kjo kontratë ka për qëllim mirëmbajtjen e platformës së billingut POSTPAID-SYMPHONY, duke u realizuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, çka praktikisht përjashton konkurrencën dhe transparencën që kërkon legjislacioni në fuqi.
Shërbimi në fjalë përfshin mirëmbajtjen e një platforme kyçe për tarifimin e konsumatorëve mobilë dhe fiksë, duke përfshirë edhe shërbimet e roamingut dhe interkoneksionit, një segment strategjik për funksionimin normal dhe financiar të Telekomit të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së këtij sistemi, procedura e ndjekur për dhënien e kontratës ka ngjallur pikëpyetje serioze lidhur me respektimin e ligjit dhe standardeve të prokurimit publik.
Kjo kontratë është dhënë në një kohë kur Telekomi i Kosovës drejtohet nga një menaxhment i emëruar nga Qeveria Kurti. Ndërkohë, qeverisja aktuale, e cila ka më shumë se pesë vite në pushtet, mban rekord për numrin e kontratave njëburimore të dhëna pa garë dhe pa transparencë. Ky trend ka rritur vazhdimisht dyshimet për keqpërdorim të parasë publike dhe për favorizim të operatorëve të caktuar ekonomikë në dëm të konkurrencës së lirë dhe interesit publik.



















