Kamerat inteligjente në RMV regjistrojnë çdo shkelje, gjoba edhe për kosovarët

E publikuar: 02/02/2026 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët që udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut se autoritetet e këtij shteti kanë filluar zbatimin e sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, të njohur si “Qyteti i sigurt”.

Sipas Policisë, monitorimi i komunikacionit rrugor realizohet përmes pajisjeve teknike dhe kamerave inteligjente, të cilat evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të komunikacionit, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Në fazën e parë, ky sistem do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Shkeljet që do të evidentohen përfshijnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, kalimin në semafor të kuq, ndalimin dhe parkimin e parregullt, si dhe qarkullimin me automjete të paregjistruara.

Policia e Kosovës bën të ditur se për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato nga Kosova, në rast të shkeljeve të konstatuara nga sistemi “Qyteti i sigurt”, shoferët do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, qytetarët e huaj kanë të drejtë të përfitojnë ulje prej 50 për qind të gjobës nëse pagesa realizohet brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mospajtimi me shkeljen ose mosrealizimi të pagesës, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse para gjykatës kompetente.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore të komunikacionit gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, me qëllim të shmangies së gjobave dhe procedurave ligjore.