Proceset shtetërore dhe faza e ardhshme institucionale – Kuvendi i LDK del me deklaratë pas votimit për Abdixhikun

E publikuar: 31/01/2026 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Proceset shtetërore dhe faza e ardhshme institucionale – Kuvendi i LDK-së del me deklaratë

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka publikuar deklaratën politike të miratuar ditën e sotme gjatë mbledhjes së kuvendit të kësaj partie. Në postimin e LDK’së thuhet se deklarata në fjalë përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të kësaj partie.

Në postim janë bërë të ditura edhe pikat e deklaratës ku, si pikë e parë është: Riorganizimi i plotë organizativ i LDK-së; 2. Respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe disiplinës statutare; 3. Riorganizimi i organeve qendrore dhe forcimi i degëve; 4. Programi kombëtar dhe roli institucional i LDK-së.

”4.3. Në këtë drejtim, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës i jep mbështetje dhe autorizim të plotë Kryetarit të partisë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës në të gjitha proceset shtetërore dhe politike në fazën e ardhshme institucionale, në përputhje me parimet programore, interesin publik dhe përgjegjësinë shtetërore të LDK-së. Kryetari i LDK-së do të ndërtojë pozicionet politike të partisë në konsultim me organet legjitime partiake, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen në tërësi nga të gjitha strukturat e LDK-së”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur edhe se, kuvendi i LDK’së kërkon riorganizim tërësor të strukturës organizative të partisë, në të gjitha nivelet, po ashtu, kuvendi i kësaj partie ka riafirmuar parimin se asnjë anëtar i LDK-së nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, me përjashtim të funksioneve që burojnë nga zgjedhja ose emërimi në shërbim institucional të vendit, përcjell Gazeta Express.

Postimi: