E shtuna e fundit e janarit, fundi i krizës apo nisja e një kapitulli të ri për LDK-në
Dita e fundit e janarit, mund të jetë edhe dita e fundit për Lumir Abdixhikun në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për krejt këto vite në krye të partisë që u drejtua nga Ibrahim Rugova, e themeluar në vitin 1989 nga intelektualët e kohës, Lumir Abdixhiku pati ngritje e ulëje të votës, shkruan Infosot.
Statistikat janë jo të mira për Abdixhikun. Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2025 Abdixhiku ka 60 mijë vota më pak se në zgjedhjet e shkurtit po të njëjtit vit. Ndërsa LDK-ja si tërësi ka 5 deputetë më pak. Nga 20 ra në 15 deputetë. Kjo rënie e madhe i kishte ndodhur edhe Isa Mustafës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i LDK-së. 13 për qind ishte rezultati që mori Isa Mustafa në zgjedhjet e vitit 2021.
Nuk priti shumë dhe njoftoi dorëheqjen, duke lënë rrugën e lirë për këdo që dëshironte nga LDK të sfidohet në të parin e partisë. Abdixhiku garoi me njërin nga anëtarët më të vjetër të partisë, Lutfi Hazirin. Por, Haziri nuk arriti ta kapitalizonte gjithë aktivitetin shumëvjeçar në parti, por delegatët vendosën për dike si Abdixhiku që nuk kishte shumë vite kontribut në LDK. Për shumë kë kjo u pa si një mundësi e artë që të ringritet LDK-ja, por kishte edhe nga ta që e shihnin me skepticizëm se një djalë i ri mund ta ringrinte partinë e Rugovës. Sapo mori mandatin Abdixhiku dha një deklaratë që e preu si skalper kirurgjik tërësinë. “Ai që humb thellë dorëhiqet. Ky është sndard i krijuar nga LDK-ja”, tha Abdixhiku me shumë seriozitet përball Blendi Fevziut në Opinion.
Kur Lumiri mori rezultatin e dhjetorit 2025 doli në konferencë për media dhe deklaroi që do të dorëhiqej, por nuk do të dorëhiqej nëse partia i thotë rri. Nata e humbjes së zgjedhjeve ishte përjetuar rëndë nga Abdixhiku, sic edhe shihej fytyra e tij e ngrysur nga dëshpërimi. Tha se do t’iu kushtonte më shumë kohë vajzave të tij, që shpesh publikonte video duke luajtur në pinao me to nga Lagjia Marigona, një ndër lagjet më luksoze në Prishtinë.
Si për ironi, edhe lënia e pozicionit të shefit të partisë, nuk qe shumë e mirë menduar atë natë kur e tha para mediave. Rrugës, Abdixhiku ndjeu një pishman atë që e tha natën e humbjes së zgjedhjeve. Nisi ta modifikonte deklaratën, nga dorëheqja, në atë se s’kam çka të ofrojë më shumë se dorëheqja, e te lënia në dorë me votëbesim delegatëve. Ky veprim nuk i pëlqeu nënkryetares Hykmete Bajrami, që e rriti votën në zgjedhjet e fundit, përkundër rënies së LDK-së. Bajrami dha dorëheqje nga nënkryetarja e LDK-së, duke i treguar Abdixhikut se kështu bëhet dorëheqja. Përkundër kësaj, Abdixhiku nuk është se e mori mesazhin e Bajramit. Ai vazhdojë të thoshte se nëse ia kërkon partia, do të qëndrojë.
Pak ditë pas Bajramit, të njëjtën e tha edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së. Edhe Hoti është njëri nga të pakëtit me Bajramin, që përkundër rënies së partisë, e ka rritur votën. Hoti dha lajmin se do të jetë në garë me Abdixhikun për kreun e LDK-së. Fati i kësaj partie, që nuk ka fituar garë elektorale që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, do të caktohen të shtunën nga mbi 300 delegatët e LDK-së. Abdixhiku, që mori timonin e partisë në vitin 2021, nuk arriti asnjëherë të renditej e dyta në zgjedhjet nacionale. Vendi i tretë për Abdixhikun ishte në rregull, ai po krenohej se ka rritur partinë në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.
I erdhën shumë vota nga diaspora që u kontestuan edhe nga vetë anëtarët brenda partisë. Por, zgjedhjet e dhjetorit 2025 ishin dush me akull për Abdixhikun. Votat nga diaspora nuk i erdhën, bashkëpunëtorët e tij të afërm shumica nuk i kaluan në listë. Votuesit e LDK-së ia refuzuan ekipin Abdixhikut deri në bojkot. Doarsa Kica Xhelili, nënkryetarja e Abdixhikut, doli minus 19 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e shkurtit, Kujtim Shala minus 17 mijë vota, Jehona Lushaku minus 8 mijë vota, Alban Zogaj dhe Krenar Xhaferi humbën nga 10 mijë vota secili dhe nuk arritën të bëheshin deputet.
As Sibel Halimi, Sokol Havolli, Paris Guri, Visar Azemi, Berat Rukiqi e Ekrem Hyseni, që humbi dy gara për kryetar të Podujevës nuk arritën ta siguronin një ulëse në Kuvend. Jashtë Kuvendi mbeti edhe “sugari” i LDK-së, Paris Guri, një djalë i përkëdhelur nga Adixhiku që ia vajtoi humbjen kryetari përmes një statusi në Facebook, duke shprehur indinjatën se si i janë vjedhur votat një djali të ri. Pra, thuajse i tërë ekipit i Abdixhikut që kishte vendosur të “luante”, i humbi. Ekipi i dështoi. I dështoi në zgjedhjet lokale, por në zgjedhjet nacionale. Përveç dështimit, ia refuzoi votuesi. I dha mesazh se me këtë ekip asnjë garë nuk do ta fitonte. Madje as komunat më të vogla, si Obiliqin e Fushë-Kosovën, që ishin dy bastione të kësaj partie që nga pas lufta. Nën drejtimin e Abdixhikut LDK dështoi ka kthente edhe Gjilanin, Podujevën që s’e ka humbur kurrë ish-nënkryetari i partisë, Agim Veliu.
Dështoi ta kthente Vushtrrinë, e për Mitrovicën s’bëhej fjalë, rezultati ishte një shifror. Pra, Abdixhiku nuk fitoi asgjë, as nuk e ruajti madje votën, por e humbi. Përjashto Prishtinën, që tradicionalisht LDK ka strukturën më të madhe të njerëzve që e votojnë dhe e ndihmojnë të mbetet gjallë. Abdixhiku për këto vite zgjodhi arrogancën, vetëkënaqësinë, instaloi njerëzit e tij nëpër degët e nëndegët e partisë, por që i dështuan në zgjedhje. Me vendime të dyshimta statutare përjashtoi zyrtarët e lartë që ishin me LDK-në që nga themelimi. Abdixhiku përjashtoi Agim Veliun nga partia dhe nga dega e Podujevës, duke e vendosur njeriun e tij, Ekrem Hysenin, që nuk njeh asnjë fitore. Ndërsa Veliu derisa ishte në garë nuk njeh asnjë humbje. Jashtë mbetën edhe shumë të tjerë, disa u vetë larguan, disa u larguan, disa kanë zgjedhur heshtjen. Lutfi Zharku, ish-ministër në disa mandate të qeverisjes së LDK-së, vendosi të mos përfshihej. Qëndroi anash dhe nuk pati kurrë komunikim me Abdixhikun. Haki Demolli, ish-ministër nuk u përfshi në asnjë aktivitet pothuajse dhe në asnjë organ drejtues. Njëjtë bëri edhe ish-ministri dhe sekretari i partisë, Arban Abrashi, që kishte 40 mijë vota në garën për Prishtinën, që nuk arriti të fitonte për më pak se 200 vota përball Shpend Ahmetit të VV-së. Jashtë mbeti edhe Skender Hyseni, që shkeli nga të parët në Shtëpinë e Bardhe me Ibrahim Rugovën. Për pak makijazh, Abdixhiku e futi nën sqetull Alush Gashin, një ish-ministër i LDK-së, që po kalon moshën e pleqërisë sërish në partinë e Rugovës. Që të shihej në publik si veprim i mirë, Abdixhiku vendosi ta fuste në listë edhe djalin e Ibrahimit, Ukën. Uka, që është pasardhësi biologjik i Rugovës nuk e kaloi me votë as Hykmete Bajramin.
Pra, që nga viti 2021 e deri në zgjedhjet e dhjetorit 2025, Abdixhiku nuk arriti ta bënte një strategji se si duhet fituar zgjedhjet. Madje as në vendin e dytë nuk arriti të dilte. Abdixhiku, ligjëruesi i Riinvestit, që ishte themeluar nga Isa Mustafa, po vetëkënaqej me vendin e tretë, pas VV dhe PDK-së. Ndoshta i vetmi kryetar në vendet e Ballkanit që është i kënaqur me vendin e tretë dhe me vetëbesim pret ta vazhdojë drejtimin e partisë edhe për shumë kohë. Por, anëtarësia e LDK-së shpesh e ka dëshmuar se ata që nuk njohin fitore i përjashtojnë, i ndjekin madje, si dikur Fatmir Sejdiun. E shtuna e fundit e janarit vendoset për të ardhmen e partisë së parë demokratike që u themelua nga Evropën që po drejtohej gjithandej nga parti komuniste.















