Nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova edhe drejt Serbisë pas përfundimit të bllokadës

E publikuar: 30/01/2026 15:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt kufirit me Serbinë ka filluar të premten pasdite, pasi transportuesit serbë i dhanë fund bllokadës disaditore, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar i Kosovës.

Shoferët e kamionëve nga Serbia thanë në një deklaratë se po i heqin bllokadat pas pesë ditësh sepse Komisioni Evropian “ka njoftuar qartë për herë të parë se shoferët profesionistë janë një kategori e veçantë punëtorësh që kërkojnë një qëndrim më të gjatë në territorin e Bashkimit Evropian se 90 ditë”.

Tani për tani bllokadën janë duke e mbajtur vetëm transportuesit nga Bosnja.

Më herët, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut hoqën dorë prej këtyre masave të enjten, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.

Terminalet për mallra u bllokuan për katër ditë në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

Transportuesit e mallrave kanë protestuar kundër atyre që i konsiderojnë procedura të ashpra për të hyrë në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ata kërkojnë që periudha e qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

Paralajmërimet fillestare ishin që bllokadat të zgjasnin për të paktën shtatë ditë, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, ka thënë në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor që u shkaktohet ekonomive të Ballkanit Perëndimor shkon në rreth 100 milionë euro.

Strategjia e re e vizave, që është miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar parasheh që institucioni të punojë nga afër me vendet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike” dhe të miratojë zgjatje të qëndrimit për disa kategori të shtetasve që vijnë nga shtetet e treta.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të premten se mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të rajonit, referencë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, ka thënë mes tjerash Dhoma e Tregtisë e Kosovës përmes një komunikate për media.

Kosova nuk ka marrë pjesë në protestë, mirëpo i ka vërejtur pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ditëve të fundit janë përballur me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.