Pavarësisht vërejtjeve të BE-së, Vuçiq nënshkruan ligjet e drejtësisë të kritikuara nga Brukseli

E publikuar: 30/01/2026 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Aleksandar-Vucic-Foto: Facebook

Aleksandar-Vucic-Foto: Facebook

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nënshkruar sot dekretet për shpalljen e një pakete ligjesh të drejtësisë, të miratuara nga Kuvendi i Serbisë me propozim të deputetit të Partisë Progresive Serbe (SNS), Ugljesha Mrdiq. Ligjet janë publikuar në Gazetën Zyrtare të Serbisë dhe mbajnë datën 30 janar.

Bëhet fjalë për një set ndryshimesh ligjore që kanë nxitur reagime të ashpra brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë vlerësuar se këto ndryshime përbëjnë një hap prapa në procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Presidenti Vuçiq ka nënshkruar:

– Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për selitë dhe juridiksionin e gjykatave dhe prokurorive publike

– Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë

– Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për organizimin dhe kompetencat e organeve shtetërore për luftën kundër krimit të lartë teknologjik

– Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike

– Ligjin për ndryshimin e Ligjit për gjyqtarët

– Ligjin për ndryshimin e Ligjit për nëpunësit shtetërorë

Një ditë më parë, Vuçiq kishte deklaruar se nuk i kishte lexuar të ashtuquajturat “ligjet e Mrdiqit”, por se ishte konsultuar me ekspertë për kushtetutshmërinë e tyre. Ai kishte shtuar se kishte marrë garanci se ligjet janë në përputhje me Kushtetutën, duke shmangur përgjigjen e drejtpërdrejtë nëse do t’i nënshkruante.

Miratimi i këtyre ligjeve nuk është pritur mirë nga Bashkimi Evropian. Përfaqësues të BE-së kanë paralajmëruar se ndryshimet mund të përbëjnë një hap serioz prapa në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit. Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, i ka bërë thirrje Kuvendit të Serbisë që të rishikojë sa më shpejt këtë paketë ligjore.

Edhe ekspertët serbë të fushës së drejtësisë kanë reaguar ashpër, duke kritikuar procedurën e miratimit dhe përmbajtjen e ligjeve, të cilat i kanë cilësuar si ndërhyrje të shpejtë dhe të rrezikshme në sistemin gjyqësor. Sipas tyre, zbatimi i këtyre ligjeve do të çonte në përfundimin e mandatit të më shumë se gjysmës së prokurorëve të Prokurorisë për Krim të Organizuar, duke rrezikuar bllokimin ose vonimin e rasteve që ata po trajtojnë.