Gjykata Komerciale i ka dhënë të drejt në shkallën e parë kompanisë “Matkos Group HC Sharri” ShPK, në një konflikt administrativ me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), duke anuluar në tërësi vendimin e institucionit pasi kishte refuzuar lejen mjedisore. Kompania e ka fituar të drejtën në shkallën e parë, për shkak të heshtjes administrative të MMPHI, raporton Infosot.
Çështja ka zanafillën më 19 janar 2021, kur “Matkos Group HC Sharri” ShPK kishte paraqitur kërkesë pranë Ministrisë së Mjedisit për pajisje me leje mjedisore për hidrocentralin “Sharri”, i planifikuar të ndërtohet në ngastrën kadastrale 2374-0 në zonën kadastrale të Shtërpcës. Kërkesa ishte protokolluar me numrin 201/21.
Sipas gjykatës, Ministria nuk kishte vepruar brenda afateve ligjore, nuk kishte kërkuar dokumente shtesë dhe as nuk kishte marrë vendim për zgjatjen e afatit për shqyrtimin e kërkesës. Për këtë arsye, pas kalimit të afateve të përcaktuara me ligj, paditësi kishte pretenduar se leja mjedisore ishte fituar në bazë të heshtjes administrative, siç parashihet me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Për shkak të mosveprimit të Ministrisë, kompania iu drejtua Gjykatës Komerciale, e cila me Aktgjykimin KA.nr.112/23 të datës 16 tetor 2023 e detyroi Ministrinë që brenda 30 ditëve të vendoste për kërkesën e paditësit dhe t’ia dorëzonte vendimin.
Ministria e pranoi këtë aktgjykim më 18 tetor 2023, por më 17 nëntor 2023 nxori vendimin nr. 21/201/MMPHI, me të cilin refuzoi kërkesën për leje mjedisore, duke u bazuar në arsyetimin se projekti nuk i plotësonte kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 04/2022.
“Matkos Group HC Sharri” e konsideroi këtë vendim të kundërligjshëm dhe theksoi se Ministria nuk kishte më autorizim ligjor për të refuzuar kërkesën, pasi e drejta për leje mjedisore ishte fituar tashmë sipas fuqisë ligjore përmes heshtjes administrative.
Paditësi argumentoi se Ministria kishte tejkaluar afatet ligjore të shqyrtimit, se nuk kishte njoftuar për mangësi eventuale në dokumentacion dhe se kishte vendosur për një kërkesë bazë të vitit 2021, ndonëse ndërkohë ishte parashtruar edhe kërkesë e veçantë për vërtetim të miratimit në heshtje.
Gjithashtu, kompania paraqiti një sërë provash, përfshirë pëlqimet e Komunës së Shtërpcës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve të tjera relevante, raporte profesionale mjedisore dhe shpjegime teknike, duke pretenduar se devijimet e trasesë së tubacioneve nuk kishin ndikim negativ në mjedis dhe se projekti ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një element kyç i rastit ishte edhe çështja e afatshmërisë së padisë. Paditësi kishte kërkuar kthimin në gjendje të mëparshme të afatit 30-ditor për paraqitjen e padisë, duke argumentuar se vendimi i Ministrisë nuk i ishte dorëzuar me kohë dhe se ai kishte qenë në pritje të veprimit të gjykatës lidhur me kërkesën për zëvendësim të aktit administrativ.
Gjykata konstatoi se paditësi e kishte paraqitur kërkesën për rivendosje të afatit brenda afatit 7-ditor të paraparë me Ligjin për Konfliktet Administrative dhe se Ministria nuk e kishte kundërshtuar këtë kërkesë. Për këtë arsye, kërkesa për rivendosje në afat u aprovua dhe padia u trajtua si e afatshme.
Ndërkohë, Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, pas ankesës së Ministrisë, e kishin prishur një aktgjykim të mëhershëm dhe e kishin kthyer lëndën në rigjykim, çka çoi në rivlerësimin e plotë të çështjes nga shkalla e parë.
Pas administrimit të provave dhe analizimit të dispozitave ligjore, Gjykata Komerciale vendosi: ta aprovojë kërkesën e paditësit për kthim në gjendje të mëparshme të afatit për paraqitjen e padisë, të aprovojë kërkesëpadinë dhe të anulojë në tërësi vendimin nr. 21/201/MMPHI të datës 17.11.2023 të Ministrisë së Mjedisit, të vërtetojë se “Matkos Group HC Sharri” ShPK e ka lejen mjedisore për hidrocentralin “Sharri” përmes aktit administrativ të miratuar në heshtje, për një periudhë pesëvjeçare duke filluar nga 6 marsi 2021.
Sipas gjykatës, mosveprimi i organit administrativ brenda afateve ligjore dhe tejkalimi i kompetencave për të refuzuar një kërkesë tashmë të miratuar sipas fuqisë ligjore përbëjnë shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Gjykata theksoi se dispozitat ligjore duhet të zbatohen njësoj për të gjithë dhe se organet administrative nuk mund të veprojnë në dëm të palëve për shkak të vonesave ose mosveprimit të tyre./infosot

















