Padia e Pjetër Shalës, ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, financuese të Gjykatës Speciale, do të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, në Strasburg.
Ndërkohë që Gjykata e Strasburgut ka bërë të ditur se ky rast do të trajtohet me prioritet dhe procedurat do të zhvillohen kryesisht në formë të shkruar, përveç nëse Gjykata e sheh të nevojshme paraqitjen fizike, ky hap vlerësohet pozitiv, që mund të hap rrugë edhe në shqyrtimin e dënimit të tij nga Specialja, me 13 vjet burg.
Si rrjedhojë, kjo u hap rrugë edhe rasteve tjera, që nga funksionimi i Speciales, janë shtruar si ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Gjykata e Strasburgut besoj që ka mundësi që edhe të vendos në favor të palëve duke ditur të gjitha këto shkelje që janë bërë, të Shala por edhe të tjerët e që një vendim i tillë mendoj që do të ishte precedent edhe për rastet tjera mandej për shkakun se gjykatat e Strasburgut mundet të jep një vendim me të cilin konstaton shkeljet që janë bërë e të cilat do të jenë precedent për rastet tjera”, tha për RTK, Arbër Istrefi, avokat.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave të Njeriut në Kosovë, nuk ka parashtruar asnjë kërkesë, për shkak se nuk është lejuar nga specialja ta monitorojë procesin nga afër.
“Gjykata speciale nuk e pranon asnjë institucion të Kosovës për çka ka detyrim ndaj saj dhe nuk i përmbush detyrimet sikur gjykatat që janë brenda Kosovës, sepse tërë sovranitetin vendimmarrës e ka bartë në Hagë dhe i ka zhveshur të gjitha instancat gjyqësore nga çdo vendimmarrje”, tha për RTK, Behxhet Shala, KLDMNJ.
Ndërkohë që Gjykata Evropiane pritet të vendosë, mbi bazë të provave të cilat palët i ofrojnë, një përgjigje nga Strasburgu presin edhe Nasim Haradinaj e Salih Mustafa, të cilët gjithashtu kanë dorëzuar padi për shkelje të të drejtave të njeriut.
















