Qeveria e Kosovës miraton kërkesën për dërgimin e FSK në mision kërkim-shpëtimi në Shqipëri

E publikuar: 29/01/2026 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media njofton se në mbledhjen elektronike të mbajtur një ditë më parë, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka mbajtur dje një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në komunikatën e mbledhjes së Qeverisë.

Ndërkohë që ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci shkroi për këtë në facebook ku tha se kjo u bë me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë.

“Me kërkesën e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Qeveria e Republikës se Kosovës në mbledhjen e saj të 286 ka miratuar propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për angazhimin e  një kontingjenti të Kërkim-Shpëtimit, të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, i cili tashmë i është bashkuar operacionit në Klos të Republikës së Shqipërisë, për kërkimin e një personi të humbur në rrjedhën e lumit Mat”, ka shkruar ai.