Personi i gjetur sot pa shenja jete brenda veturës në Veternik të Prishtinës, ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Viktima është Hekuran Hoxha, pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Për vdekjen e Hoxhës, ka ngushëlluar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj,
Postimi i plotë:
Hekuran Hoxhën e kishim koleg shumëvjeçar në Aleancë. Qysh në rininë e tij, ai ishte i angazhuar në aktivitetet politike në kuadër të Aleancës, ku u dallua gjithmonë për afërsinë, korrektësinë dhe respektin ndaj gjithsecilit.
Ndarja e tij nga jeta na tronditi të gjithëve!
Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Hoxha, miqve dhe të gjithë kolegëve në Aleancë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për ty, Kani!
Vdekja e Hoxhës është konstatuar në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia ka nisur hetimin.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga Policia e kryeqytetit.
“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik në Prishtinë.
Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”

















