Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së partisë në Podujevë.
Ai ka thënë se kjo degë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vite, dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Veliu shtoi se pas largimit të tij nga dega e LDK-së në Podujevë i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
“Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj. Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”, shtoi Veliu.
LDK do të mbajë Kuvendin e Punës të shtunën, më 31 janar, ku do të ndodhë votëbesimi ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku kjo parti mori vetëm 13.24 për qind të votave.

















