Ministria e Shëndetësisë mirëpret auditimin e ZKA-së, garanton furnizim të qëndrueshëm me barna

E publikuar: 27/01/2026 17:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka mirëpritur auditimin e performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), duke e cilësuar atë si pjesë të mekanizmave standardë të transparencës dhe përmirësimit të vazhdueshëm institucional.

Sipas njoftimit të Ministrisë, furnizimi në sektorin e Kujdesit Parësor Shëndetësor është në nivele të larta.

“Njoftojmë se Kujdesi Parësor Shëndetësor furnizohet me 88% të produkteve medicinale të planifikuara”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Ministria thekson se “Furnizimi me materiale shpenzuese është 92.3%”, ndërsa për barnat esenciale garanton furnizim të plotë dhe pa ndërprerje.

“Furnizimi me insulina, barna antituberkulare, antiretrovirale dhe vaksina është 100% i garantuar, pa ndërprerje”, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Institucioni shpreh gatishmëri të plotë për bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit, duke theksuar rëndësinë e një procesi të bazuar në fakte.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim me ZKA-në dhe e përkushtuar që çdo vlerësim të bazohet në të dhëna të sakta, të verifikueshme dhe kontekst të plotë, në interes të informimit korrekt të publikut”, thuhet në njoftim.