Kurti: Në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit kujtojmë viktimat që krimet të mos përsëriten

E publikuar: 27/01/2026 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore, pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës.

Në këtë ceremoni përkujtimore, Kurti tha se bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, vendosën kurorë me lule në nderim të viktimave të Holokaustit.

“Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se krimet e kryera gjatë Holokaustit sollën edhe njohjen ndërkombëtare të konceptit të gjenocidit.

“Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”, ka theksuar ai.

Kurti shtoi se populli i Kosovës, duke qenë edhe vetë viktimë e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ka treguar gjithmonë empati ndaj popujve të tjerë që kanë përjetuar vuajtje të ngjashme.

“Duke qenë edhe vetë viktima të gjenocidit, dëbimit, spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga Serbia, populli jonë ka treguar gjithmonë empati të veçantë ndaj popujve që ishin cak i tyre. Andaj edhe sot, si në çdo përvjetor, i kujtojmë viktimat e Holokaustit që mos t’i harrojmë vuajtjet dhe dhimbjen, dhe i rikujtomë ngjarjet që ato mos të përsëriten!”, ka shtuar Kurti.