Përfaqësuesit e “Liria ka Emër” takojnë Kryetarin e Rahovecit, marrin mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë”

E publikuar: 27/01/2026 12:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Platforma “Liria ka Emër” ka vazhduar sot fushatën e saj të takimeve nëpër Kosovë, me një vizitë zyrtare në Komunën e Rahovecit. Dy themeluesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën në takim nga Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës prezantuan misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, me theks të veçantë në fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Eliza Hoxha, bashkëthemeluese e platformës, theksoi se ky Marsh është një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme.

“Kërkojmë mbështetje që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, shtoi ajo.

Ndërsa, Ismail Tasholli ndër të tjera tha se mobilizimi në çdo komunë të Kosovës është thelbësor për përçimin e mesazhit të Marshit.

“Marshi “Drejtësi, jo politikë” është reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, shtoi Tasholli.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë qytetare, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të parimeve të drejtësisë.

“Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Kjo është një kauzë që meriton mbështetje,” tha Latifi.