Një 28-vjeçar me origjinë marokene u vra sot nga policia italiane gjatë një shkëmbimi zjarri rreth orës 18:00, në rrugën “Peppino Impastato” në Milano.
Sipas mediave italiane, i riu ishte i njohur për autoritetet dhe qëndronte pa dokumente të rregullta. Ai kishte precedentë penalë për trafikim droge, rezistencë ndaj policisë, grabitje dhe plagosje.
Sonte, dyshohet se ai ua kishte drejtuar armën një patrulle policore që po kryente një kontroll antidrogë. Po ashtu, dyshohet se arma nuk kishte fishekë të vërtetë. Njëri nga policët me rroba civile nxori armën dhe e qëlloi, duke lënë të vdekur të riun.
Zyrtari policor që qëlloi po merret në pyetje në Komisariatin Qendror të Milanos.

















