Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, bllokuan pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.
Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.
Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.
“Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.
Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.
“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë – një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Rafuna thotë se gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një shkresë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në letrën që siguroi Radio Evropa e Lirë dhe që mban datën e 20 janarit, kërkohet që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje.
“Zhvillimet e pritshme si pasojë e këtyre masave, janë shqetësuese dhe mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”, thuhet në letër.
Sipas Rafunës, sistemi i ri ka detyruar kompani në Ballkanin Perëndimor që, çdo tre muaj, të punësojnë shoferë të rinj.
“Ky është problem i madh, sepse ka mungesë të tyre… dhe kjo komplet e çrregullon zinxhirin e furnizimit”, thotë ai.
Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.
Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.
“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sasho Ilievski, pronar i kompanisë “Stema Transport” në Shkup, thotë se nuk preket drejtpërdrejt nga rregullat e reja – pasi kamionët e tij udhëtojnë drejt shteteve më të afërta të BE-së – por shton se ai do t’i mbështsë kolegët në protestë.
“Udhëtimet tona zhvillohen kryesisht në Austri, Sllovaki, Republikën Çeke dhe Hungari. Për çdo udhëtim, qëndrojmë maksimumi katër deri në pesë ditë”, thotë ai.
“Megjithatë, ka kompani që operojnë më thellë brenda BE-së… që hyjnë në Suedi, Norvegji, Portugali. Për një udhëtim, ato kalojnë 15 deri në 20 ditë brenda BE-së. Kur kthehen, nuk u lejohet të hyjnë përsëri gjatë atij muaji. E, nëse nuk udhëtojnë sërish, kompania dhe biznesi humbasin, pasi shoferët nuk mund t’i përmbushin detyrimet e tyre profesionale brenda asaj kohe. Ata nuk janë turistë, janë shoferë profesionistë dhe duhet t’u lejohet të qëndrojnë më gjatë”, shton Ilievski.
Para se të hynte në fuqi sistemi elektronik, EES, transportuesit maqedonas nuk kishin probleme, edhe pse rregulli i 90 ditëve për qëndrimin në zonën Schengen ishte në fuqi.
Doganierët vulosnin pasaportat, por nuk numëronin ditët dhe shpesh i “shikonin përmes gishtave”, thotë Ilievski.
Por, që nga fillimi i funksionimit të sistemit elektronik të BE-së, qëndrimet në zonën Schengen monitorohen më rreptë.
Kompjuteri me të dhëna biometrike përmbledh saktë të gjitha ditët – nga koha e kaluar në udhëtim, pushimet në parkime e deri te pritjet në kufi.
“Të gjithë ata që udhëtojnë më thellë brenda Bashkimit Evropian, do të qëndrojnë më shumë ditë. Kjo i prek rreth 70 për qind të kompanive në vend. Kolegët në Suedi, për shembull, nuk mund të kthehen shpejt… Shoferi e drejton automjetin për 9 orë në ditë dhe pastaj duhet të pushojë. Pushimi që merr është brenda BE-së dhe konsiderohet po ashtu qëndrim, edhe pse ai nuk po punon”, thotë Ilievski.
“Prandaj, ne kërkojmë nga BE-ja që t’i përjashtojë kompanitë e transportit. Shoferëve ose duhet t’u zgjatet qëndrimi, ose të llogariten vetëm orët e tyre të punës”, sipas tij.

















