Juventus–Napoli, përballje me “ngjyrë” kosovare mes Rrahmanit dhe Zhegrovës

E publikuar: 25/01/2026 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventus dhe Napoli do të përballen sonte në Torino, në një ndeshje shumë të rëndësishme për garën në krye të Serie A, por edhe me interes të veçantë për publikun kosovar, pasi në këtë duel janë të përfshirë dy futbollistë të Kosovës: Amir Rrahmani dhe Edon Zhegrova.

Sipas renditjes aktuale, Napoli mban vendin e tretë me 43 pikë nga 21 ndeshje, vetëm tri më pak se Milani i vendit të dytë, ndërsa Juventusi ndodhet në pozitën e gjashtë me 39 pikë, gjithashtu nga 21 takime. Diferenca e ngushtë e pikëve e bën këtë përballje direkte vendimtare për objektivat e të dyja skuadrave në vazhdimin e sezonit.

Te Napoli, Amir Rrahmani pritet të jetë titullar në qendër të mbrojtjes, duke vazhduar rolin e tij kyç në një skuadër që ka pësuar vetëm 17 gola deri tani. Në anën tjetër, Edon Zhegrova, i cili është pjesë e Juventusit, nuk pritet të jetë në formacionin startues, por prania e tij në këtë sfidë i jep ndeshjes një simbolikë të veçantë, si një përballje indirekte mes dy përfaqësuesve të Kosovës në një nga duelet më të forta të javës në Serie A.