Një ngjarje serioze është shënuar në fshatin Paranë të Prizrenit, ku dyshohet se një 20 vjeçar është privuar në mënyrë të kundërligjshme nga liria nga katër persona.
Sinjali mëson se rasti është raportuar më 24 janar 2026, rreth orës 11:52, ndërsa ekipet e Hetimeve Rajonale kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi ishte ngritur dyshimi se viktima ishte rrëmbyer.
Burimet brenda hetimit bëjnë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit dhe më pas është intervistuar nga hetuesit, për t’u kthyer më vonë në shtëpi.
Ndërkohë, të dyshuarit janë shoqëruar në NJHP Prizren, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Sipas deklarimeve të deritanishme, dyshohet se rasti ka ndodhur “për shkak të motivit të ulët”.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar.
Sinjali mëson se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar edhe prova materiale, përfshirë:
• një veturë Seat Arona,
• katër (4) telefona,
• si dhe një (1) elektroshok.
Sipas burimeve, dy nga të dyshuarit ndodhen në ndalim, ndërsa i mituri është dorëzuar tek familjarët.
Rasti është duke u trajtuar nga organet e rendit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.

















