Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar dje në Davos me Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, me të cilin ka diskutuar thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ky takim vjen pas takimit të tyre të parë të mbajtur në Singapor, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore mes dy vendeve. Sipas saj, në fokus të diskutimeve kanë qenë mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, ka shkruar Osmani.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe organizimi i një forumi të përbashkët ekonomik, si mundësi konkrete për avancimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Singaporit. Presidentja Osmani ka vlerësuar se këto iniciativa do të kontribuonin në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në zgjerimin e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar.

















