109 persona ndalohen për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve

E publikuar: 23/01/2026 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë aksionit të sotëm në Komunën e Prizrenit 109 persona janë ndaluar për veprat penale të falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu tha se gjatë ditës së sotme kanë pasë raste kur dëshmitarët kanë qenë bashkëpunues, dhe situata kur iu janë treguar se si kanë pasë presione.

“Katër prokurorë të Departamentit të Krimeve të Rënda janë marrë me proceset dhe kanë dalë nëpër stacione policore dhe kanë lëshuar 109 vendime për ndalim. I kemi 109 të ndaluar për vepra penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore, presione dhe kanosje, si dhe për dhënie e marrje të ryshfetit. Pra, sot kemi pasur situata kur kemi fituar edhe dëshmitarë bashkëpunues, kemi pasur situata kur na kanë treguar se si kanë ardhur presione, por edhe na kanë treguar”, tha ai.

Kryeziu ka qenë i qartë se secili që guxon të fusë duart në votën e qytetarëve do të ballafaqohet me ligjin.

“Ky hetim ka qenë i mirë planifikuar edhe me koordinatoren nacionale të zgjedhur, Laura Pula, dhe me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj. Qëllimi ynë, përveç misionit dhe obligimit ligjor për ta shtruar ligjshmërinë në çdo rast kur cenohet, është edhe preventiva gjenerale. Duhet ta dimë nga ky moment dhe nga kjo datë se kushdo që guxon t’i fusë duart në vullnetin e qytetarëve do të ballafaqohet me forcën e ligjit, njëjtë siç janë duke u ballafaquar sot një pjesë e madhe, siç patjetër do të ballafaqohen edhe shumë të tjerë, sepse nuk përfundon me këtë numër të sotëm”, tregoi ai.