Nis takimi Kosovë–Serbi për jetësimin e komisionit për të pagjeturit

E publikuar: 22/01/2026 20:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Para pak çastesh ka nisur takimi i përbashkët mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialog.

Këtij i paraprinë takimet e gjata dhe të ndara që Sorensen i zhvilloi me Besnik Bislimin dhe më pas me Petar Petkoviqin.

Tema e raundit të sotëm është jetësimi i komisionit për të pagjeturit.

Formimi i këtij komisioni është bërë përmes një marrëveshje të arritur gjatë vitit 2024 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan RTK.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy here ndërsa takimet nuk kanë prodhuar asnjë rezultat.

Sipas burimeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të diskutojnë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, të cilën e kanë miratuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023.