Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të enjten në “Shtëpinë e Kosovës” në Davos, ka pritur në takim Dr. Sabeeh Al-Mukhaizeem, ministër i Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Ripërtëritshme; Ushtrues detyre i Ministrit të Financave; si dhe Ministër i Shtetit për Çështje Ekonomike dhe Investime i Shtetit të Kuvajtit.
Gjatë këtij takimi, të cilin Kurti e quajti “pozitiv dhe konstruktiv”, ai tha se ka falënderuar ministrin Al-Mukhaizeem për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të Kuvajtit ndaj “përparimit ekonomik të Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare”.
“Fokus i veçantë ishin edhe planet ambicioze të Qeverisë për mandatin e ardhshëm. Specifikisht, diskutuam për një sërë mundësish investimi me interes të mundshëm për Shtetin e Kuvajtit dhe bizneset kuvajtiane, përfshirë sektorët e energjisë, hekurudhave, stadiumeve dhe rezervuarëve të ujit”, tha Kurti në një postim në “X”.















