Policia e Kosovës në bashkëpunim me ushtarë të misionit të KFOR-it ka realizuar ushtrim të përbashkët të quajtur “Incident Command Walkthrough”.
Sipas njoftimit, ushtrimi kishte për qëllim testimin dhe zbatimin e procedurave standarde të operimit, mekanizmave të komandimit dhe kontrollit, si dhe forcimin e metodave të koordinuara të reagimit, me synim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe sigurimin e një përgjigjeje efektive ndaj sfidave të mundshme të sigurisë.
Angazhimet e tilla të përbashkëta, sipas Policisë, dëshmojnë nivelin e lartë të profesionalizmit, koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, në funksion të garantimit të një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët.
Policia e Kosovës ka vlerësuar mbështetjen dhe kontributin e të gjithë partnerëve të saj, duke theksuar se këto aktivitete janë të rëndësishme për avancimin e mëtejmë profesional të institucionit.

















