Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë që regjimi fashist serb i Sllobodan Millosheviqit bëri ndaj familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz. Kurti thotë se historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Shkrimi i plotë i Kurtit:
Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari
Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari.
Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.
Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit.
Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së.
Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.
Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës.

















