Kriza me energji elektrike në Kosovë po thellohet dita-ditës dhe po kthehet në një problem serioz ekonomik dhe shoqëror, me pasoja të drejtpërdrejta për sektorin e biznesit, në veçanti për prodhimin vendor.
Ndërprerjet dhe reduktimet e shpeshta të rrymës po e pamundësojnë funksionimin normal të shumë ndërmarrjeve, duke shkaktuar ndalje të proceseve prodhuese, humbje financiare dhe rënie të konkurrueshmërisë në treg.
Kjo situatë po krijon pasiguri të madhe për bizneset, të cilat po detyrohen të zvogëlojnë kapacitetet ose të pezullojnë përkohësisht prodhimin, ndërsa përfaqësuesit e sektorit privat paralajmërojnë se, nëse gjendja vazhdon, pasojat për ekonominë e vendit dhe vendet e punës do të jenë edhe më të rënda.
Ymeri: Kriza energjetike po rëndon qytetarët dhe bizneset, varfëria energjetike në rritje
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, për FrontOnline, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e furnizimit me energji elektrike dhe pasojat që, sipas saj, kjo situatë po i shkakton qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë, duke theksuar se kriza energjetike po thellon pabarazinë sociale.
Ymeri ka deklaruar se mungesa dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike po i prek të gjithë qytetarët, por goditjen më të madhe po e marrin shtresat më të cenueshme të shoqërisë.
“Preken të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, por më së shumti ata me të ardhura të ulëta, familjet me ndihmë sociale, të moshuarit dhe të papunët. Varfëria energjetike ka qenë prezente prej kohësh, por kjo rritje do ta thellojë më tej ndarjen mes atyre që mund t’ia lejojnë vetes ngrohjen dhe atyre që do të detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe faturës”, ka thënë Ymeri.
Sipas saj, pasojat e kësaj gjendjeje nuk janë vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe politike, duke rritur ndjenjën e pasigurisë dhe mungesën e mbrojtjes institucionale për qytetarët.
“Pabarazia sociale do të rritet, dhe bashkë me të edhe shkëputja, të paktën, e mbrojtjes së qytetarit nga shteti. Një pjesë e popullsisë, e pashpresë, do ta shikojë largimin nga vendi si rrugë të vetme”, ka theksuar ajo.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe qasjen e pushtetit ndaj sektorit të energjisë, duke vlerësuar se problemet aktuale kanë mundur të shmangen.
“E gjithë kjo ka pasur mundësi të shmanget. Edhe nëse nuk ka qenë faji i Kosovës, pushteti për pesë vite me radhë ka favorizuar tregtinë e energjisë elektrike në krahasim me interesin e qytetarit të Kosovës”, ka deklaruar Ymeri.
Dreshaj: Terri energjetik po dëmton rëndë bizneset dhe prodhimin vendor
Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka vlerësuar se situata aktuale me energjinë elektrike është jashtëzakonisht e rëndë dhe po shkakton dëme serioze për bizneset dhe prodhimin vendor, duke ia atribuuar këtë gjendje mungesës së politikave adekuate qeveritare.
Dreshaj ka deklaruar se ndërprerjet dhe reduktimet e shpeshta të energjisë po e bëjnë të pamundur funksionimin normal të shumë ndërmarrjeve prodhuese, duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e kapaciteteve prodhuese.
“Terri energjetik është një situatë jashtëzakonisht e rëndë. Për mungesë të politikave adekuate të Qeverisë është krijuar një gjendje ku bizneset po dëmtohen shumë. Kemi ulje të prodhimit vendor, sepse nuk kanë mundësi të prodhojnë, ndërsa këto reduktime të shpeshta të energjisë po sjellin pasoja të mëdha gjatë përfundimit të prodhimit”, ka thënë Dreshaj.
Sipas tij, pasiguria në furnizim me energji elektrike po i detyron bizneset të ndërmarrin masa ekstreme, përfshirë ndaljen e plotë të prodhimit.
“Bizneset po detyrohen ta ndalojnë prodhimin, sepse nuk po guxojnë të futen në procesin prodhues për shkak të reduktimeve të shpeshta të energjisë”, ka theksuar ai.
Shahini: Ndërprerjet e energjisë po rrezikojnë bizneset, ekonominë dhe sigurinë kombëtare
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke vlerësuar se kjo situatë nuk po rrezikon vetëm funksionimin e bizneseve dhe ekonominë e vendit, por edhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Shahini ka theksuar se mungesa e energjisë elektrike ka pasoja të drejtpërdrejta në ndaljen e sistemeve teknologjike dhe të sigurisë, duke krijuar një situatë alarmante për sektorin privat dhe për qytetarët.
“Ndërprerja e energjisë elektrike ka rrezikuar ekonominë, por jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës, për shkak se kjo ndërprerje është ndërprerje e gjitha aparaturave elektronike dhe elektrike, përfshirë kamerat e sigurisë dhe ndriçimin”, ka deklaruar Shahini.
Sipas tij, gjendja aktuale po rikthen imazhe të një periudhe të vështirë për vendin, duke e krahasuar situatën me vitet e pasluftës.
“Ky terr i ngjason kohës së pasluftës kur në Kosovë dëgjoheshin gjeneratorët. Kjo është e papranueshme për secilin biznes dhe për çdo qytetar që banon dhe jeton në Kosovë”, ka shtuar ai.
Kreu i AKB-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të trajtojë me seriozitet të plotë çështjen e furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se zgjidhja e kësaj problematike është jetike për stabilitetin ekonomik dhe funksionimin normal të vendit.
“Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me këtë çështje”, ka përfunduar Shahini.
Muhaxheri: Kriza energjetike pasojë e dështimit shtetëror, bizneset po paralizohen nga ndërprerjet
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, për FrontOnline, ka vlerësuar se kriza aktuale energjetike në Kosovë dhe mungesa e energjisë elektrike, veçanërisht për bizneset, nuk janë pasojë e mungesës reale të rrymës, por e dështimit shtetëror dhe keqmenaxhimit ndër vite.
Sipas Muhaxherit, institucionet kanë improvizuar për një periudhë të gjatë, duke heshtur për problemet strukturore dhe duke u mjaftuar me premtime, ndërsa sot pasojat po i bartin qytetarët dhe sektori privat.
“Terri energjetik është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit shtetëror, jo e mungesës së rrymës. Me vite është improvizuar, është heshtur dhe janë shitur premtime, ndërsa sot qytetarët dhe bizneset po e paguajnë çmimin’’, ka deklaruar Muhaxheri.
Ai ka theksuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike po e paralizojnë ekonominë, duke rritur kostot e operimit për bizneset dhe duke dëmtuar rëndë sigurinë për prodhim dhe investime.
“Ndërprerjet po e paralizojnë ekonominë, po rrisin kostot dhe po e shkatërrojnë çdo siguri për prodhim e investim. Një vend që s’e garanton energjinë, nuk mund të flasë seriozisht për zhvillim”, ka theksuar ai.
Muhaxheri ka bërë thirrje që Qeveria të marrë përgjegjësinë pa justifikime dhe ta trajtojë energjinë si çështje të sigurisë kombëtare.
“Qeveria duhet ta pranojë përgjegjësinë dhe ta trajtojë energjinë si çështje të sigurisë kombëtare. Nevojitet një plan urgjent, investime konkrete dhe menaxhim profesional, jo propagandë”, ka shtuar ai.
Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa serioze dhe të menjëhershme, pasojat e krizës do të thellohen edhe më tej.
“Përndryshe, terri nuk është vetëm në rrjetin elektrik, por në qeverisje, dhe pasojat po i bartin qytetarët dhe bizneset çdo ditë”, ka shtuar Muhaxheri.
















