Derisa shumë qytete të Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike për shkak të mosfunksionimit të blloqeve të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), zyrtarët e këtij institucioni publik kanë vendosur që ta përjetojnë luksin duke blerë vetura në vlerë prej rreth 80 mijë eurove.
Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, KEK ka finalizuar një tender për furnizim me dy automjete udhëtaresh, xhip 4×4, kontratë e cila është nënshkruar më 30 dhjetor 2025, raporton Infosot. Vlera e përgjithshme e kontratës kap shumën 79,540 euro, ndërsa vlera e parashikuar fillimisht kishte qenë 85 mijë euro.

Kontrata është realizuar përmes procedurës së hapur të prokurimit, me kriter dhënieje “çmimi më i ulët”. Megjithatë, në këtë aktivitet prokurimi është paraqitur vetëm një operator ekonomik, dhe po i njëjti është shpallur fitues. Bëhet fjalë për kompaninë Kosova Motors J.S.C. SH.A., me seli në Graçanicë.
Sipas dokumentacionit, aktiviteti i prokurimit është iniciuar në gusht të vitit 2025, tenderët janë hapur në shtator, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar më 26 dhjetor 2025. Automjetet do të dorëzohen në lokacionin e TC Kosova B, brenda një afati prej 60 ditësh nga nënshkrimi i kontratës.
Ndërsa dje njoftoi Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT se si i rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW.
Sipas KOSTT për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar.
“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E. Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative”, thuhet në njoftim.















