Policia e Nigerisë ka konfirmuar tani se një grup besimtarësh u rrëmbye nga tre kisha në një pjesë të largët të shtetit verior të Kadunës, pasi më parë e kishte mohuar këtë, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Më shumë se dy ditë pas bastisjes në fshatin Kurmin Wali, policia të martën në mbrëmje tha se një deklaratë e mëparshme që mohonte sulmin ishte “keqinterpretuar gjerësisht”.
Banorët vendas i thanë BBC-së se 177 besimtarë ishin rrëmbyer, por se 11 më vonë ikën.
Zëdhënësi i policisë Benjamin Hundeyin nuk dha asnjë shifër, por tha se kontrollet e mëvonshme nga njësitë operative dhe burimet e inteligjencës kishin konfirmuar rrëmbimin.
Ai tha se forcat e sigurisë ishin vendosur plotësisht në zonë dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit dhe patrullimet ishin duke u zhvilluar.
Zëdhënësi i policisë shtoi se deklarata e mëparshme “nuk ishte një mohim i incidentit, por një përgjigje e matur në pritje të konfirmimit të detajeve nga terreni, duke përfshirë identitetet dhe numrin e të prekurve”.
Një dëshmitar okular tha se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 sipas orës lokale të dielën.
“Disa njerëz u përpoqën të iknin, por nuk mundën sepse burrat e armatosur kishin rrethuar fshatin”, tha ai. “Ata mblodhën njerëz së bashku dhe më vonë i detyruan të marshonin drejt shkurreve.”
Banorët thanë se sulmi preku tre kisha – dy të cilat janë pjesë e Kishës së Lëvizjes së Kerubimëve dhe Serafimeve, dhe një nga Kisha Ungjillore që Fiton të Gjithë (ECWA).

















