Podujevë: Rreth 700 shtëpi mbetën për 30 orë pa ujë të pijshëm

E publikuar: 20/01/2026 22:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prej më shumë se 30 orësh, rreth 700 shtëpi në Podujevë mbetën pa furnizim me ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për banorët e lagjeve afër hekurudhës, në vendin e njohur si “Çeshmja e Azemit”, si dhe për një pjesë të rrugës “Lordi Bajron”.

Këta banorë furnizohen nga gypi i vjetër i ujit të pijshëm, i cili vjen nga fabrika e ujit në Shajkovc, dhe pikërisht në këtë linjë është bërë ndalja e ujit për këto zona.

Banorët e këtyre lagjeve kanë protestuar pranë zyrave të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, njësia në Podujevë, por sipas tyre, askush nuk ka dhënë asnjë përgjigje apo sqarim nga zyrtarët e kësaj kompanie lidhur me ndërprerjen e furnizimit me ujë.

Banorët kanë bërë të ditur se probleme të këtilla me ujin e pijës kanë në vazhdimësi. Banorët kanë thënë se problemet janë shfaqur që nga vendosja e gypit të ri që furnizon ujësjellësin e qytetit, të cilët kanë mbetur të kyçur me gypin e vjetër furnizues.