Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, njëherit Koordinator Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka shpërndarë donacionin për institucionet të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e të dhënave në Bazën e të Dhënave për Viktimat e Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Ky donacion është mundësuar me mbështetjen e partnerit GIZ, në kuadër të projektit EU4FAST, dhe ka për qëllim forcimin e kapaciteteve teknike të institucioneve relevante. Përmes kësaj mbështetjeje synohet rritja e efikasitetit në identifikimin, referimin dhe trajtimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, përmirësimi i menaxhimit të të dhënave, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër këtij fenomeni.
Pajisjet kompjuterike janë shpërndarë për 40 Qendra për Punë Sociale, 2 Sektorë për Asistim dhe Mbrojtje të Viktimave – DHTNJ, 7 Zyra për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, si dhe për 1 strehimore të menaxhuar nga OJQ MVPT, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen, trajtimin dhe mbështetjen e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.
Ministria e Punëve të Brendshme falënderon të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës për angazhimin dhe punën e tyre të vazhdueshme në këtë fushë, si dhe partnerët ndërkombëtarë, në veçanti GIZ, për mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e nevojave institucionale dhe forcimin e mekanizmave kundër trafikimit me qenie njerëzore.
















