Bislimi: Politika nuk njeh të vjetër e të rinj, vetëm mendësi të vjetra dhe të reja, mendësia e re politike është shansi real i LDK-së

E publikuar: 19/01/2026 08:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Faton Bislimi

Në politikë nuk ka “të vjetër” dhe “të rinjë” si çështje moshe apo gjenerate. Ka vetëm “mendësi të vjetra” dhe “mendësi të reja”.

Fatkeqësisht, jo vetëm LDK, por e gjithë klasa jonë politike vazhdon të vuajë nga një mendësi e vjetër e të bërit politikë: një mendësi që, në vend të reflektimit dhe ridefinimit të rrugës, zgjedh përplasjen e brendshme;
në vend të bashkimit, prodhon frikë; në vend të oksigjenit për partinë, e bllokon atë në degët e veta.

LDK nuk ka nevojë për luftë të brendshme. LDK ka nevojë për vizion, besim dhe vullnet për ndryshim.

Nëse vërtetë e duam Kosovën—dhe nëse besojmë se Kosovës që e duam i duhet një subjekt politik me ideologji të djathtë kombëtare, me shtetndërtim, me dinjitet dhe me orientim perëndimor, e me marrëdhenje unike me SHBA-të—atëherë LDK ka vetëm një shans real përpara: të përqafojë mendësinë e re politike.

Një mendësi që nuk përjashton, por përbashkon; që nuk kërcënon, por frymëzon; që nuk mbron pozita, por i shërben misionit.

I kam ofruar gjithëçka e gjithmonë LDK-në jo për interes personal, por për ideal. Kam ofruar kohën time, energjinë time, përvojën time kombëtare e ndërkombëtare. Sepse, siç kam thënë qysh herët (e tash po e përsërisin shumë të tjerë) LDK është më e madhe se çdo individ, por mund të shpëtohet vetëm nga njerëz që ofrojnë gjithçka nga vetja, jo nga ata që frikësohen nga ndryshimi.

Ajo mundësi ekziston. Ajo mundësi është bashkimi rreth mendësisë së re. Dhe vetëm ajo i jep oksigjen LDK-së, e assesi kamuflimi në sfilada kuvendesh që prodhojnë vazhdimësi nën norma të paqena statutare.

Koha është për LDK-në që përbashkon. Për LDK-në që fiton. Për LDK-në që i shërben Kosovës.

#UnitetNëDallime #PërKosovën